Dibra e kaloi pandeminë, por jo edhe rrezikun!

Ky është Mirand Kastrati nga qyteti i Dibrës, i punësuar në repartin e ndihmës së shpejtë si shofer.  Mirandi më 25 mars ka bërë testin për Covid-19 dhe më 28 mars në rezultatet e marra ka rezultuar pozitiv. Që nga ajo ditë, jeta e tij ka ndryshuar. Ai është  izoluar në  banesën e tij bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Pjesa më e vështirë për Mirandin gjatë karantinës ka qenë distancimi nga fëmijët, largimi i tyre sa herë që futeshin në dhomë dhe frika që të mos i infektojë edhe ata. Këtë situatë e ka vështirësuar akoma më tepër edhe fakti që Mirandi jeton në një banesë 70 metër katrorë, me vetëm dy dhoma.

“Pjesa psikologjike ka qenë shumë e vështirë, pasi që unë jetoj në një banesë dydhomëshe  dhe me fëmijë të vegjël  dhe problemi më i madh kanë qenë fëmijët, është dashur nga dhoma ku rri, ti përzë fëmijët e mi, mos i kem afër,  dhe kjo ka qenë sfida më e madhe, gjithçka tjetër ishte shumë normale, tha Mirand Kastrati – qytetar nga Dibra.

25 ditë në izolim Mirandi i ka kaluar pa asnjë simptomë të vetme nga ato që e karakterizojnë Korona virusin. Megjithatë, ai ka treguar një kujdes të veçantë, deri sa ka rezultuar negativ në dy testet e ardhshme. Tani Mirandi i është kthyer normalitetit, përcjell DibraJon.

“Jo frikë nuk kam pasi që unë se kam ndjerë si sëmundje, nuk kam ndjerë asgjë, as simptomat që përmenden nga Organizata Botërore apo Ministria e Shëndetësisë  tek ne dhe asnjëherë nga ata simptomat temperaturë ,lodhje , dhimbje muskujsh, kollitje kam pasi që jam pirës i duhanit  dhe e kam pas çdo herë  por diçka tjetër për tu frikësuar nuk kam pasur. Për fëmijët kisha frikë se si prind çdo gjë e vogël të duket e madhe por pas asaj që kalova tashmë nuk kam frikë as për ata”, tha Mirand Kastrati – qytetar nga Dibra.

Por, Dibra akoma nuk mund ta marrë veten nga izolimi 30 ditor që përjetoi. Në rrugë mund të vëresh qytetarë të cilët janë më të kujdesshëm se më parë, bizneset ve¬ç sa kanë filluar të hapen por jo edhe lokalet dhe restorantet.

Albert Kolonja pronar i një restoranti në Dibër, thotë se dibranët u treguan shumë të kujdesshëm me  pandeminë duke i mbyllur lokalet pesë ditë para se qeveria të jepte rekomandimin për mbylljen e të njëjtave. Kolonja thotë se lokali i tij është i mbyllur tani e mbi 50 ditë dhe deri më tani akoma nuk kanë marrë asnjë përkrahje nga Qeveria.

“Ne si qytetarë, si qytet dhe si komunë ishim të parët dhe të  vetmit  në Republikën e Maqedonisë së Veriut që u futëm në karatinë dhe ia dolëm me sukses,  me dinjitet të plotë dhe vetëdije dhe e kaluam. Tani është koha e shtetit, se në punën tonë e bëmë, ne  bëmë shumë që këtë sëmundje ta parandalojmë dhe ju bindëm të gjithë urdhërave dhe të gjitha masave që shteti vendosi  dhe tani presim të shohim shtetin”, tha Albert Kolonja pronari i një lokali.

Si në çdo qytet tjetër, edhe në qytetin e Dibrës mielli ka qenë një ndër produktet më të kërkuara në treg në kohën e pandemisë. Edhe në këtë qytet kërkesat për miell janë rritur, deklaron Axhi Papraniku, pronar i një fabrike mielli.

“Tani vetëm se e kemi kaluar këtë situatë të vështirë  të karantinës,  dhe tani ka filluar  që të këtë edhe më shumë lëvizje pasi që klientët mund të vijnë dhe të marrin miellin”, tha Axhi Papraniku, pronar i një fabrike mielli.

Kryetari I komunës së Dibrës  Hekuran Duka, thotë se për një muaj në Dibër është luftuar vetëm për mbijetesë, megjithatë në fund ia arritën që të fitojnë luftën kundër Covid-19.

Sipas Dukës, tani është radha e qeverisë që të kompensojë 100% qytetin e Dibrës nga humbjet që I ka pasur. Pasi që Dibra ka pasur masa të veçanta nga qytetet e tjera, do të duhet që të ndihmohet në mënyrë të veçantë, deklaron Duka.

“Unë kam bërë kërkesë në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriu që për Dibrën të ketë masa ekonomike të posaçme, pasi që 30 ditë nuk kanë punuar, kapacitetet e tjera ekonomike në Dibër janë shumë të dëmtuar nga kjo goditje e pandemisë , andaj besoj se do të gjejmë mirëkuptim  pasi që Dibra ka një buxhet të vogël, ka shumë obligime ndaj kontraktorëve, ka  dhe borxhet e veta  dhe ju desh edhe me këtë buxhet të përballoj edhe këtë epidemi.  Dhe ne tash kërkojmë intervencë tek zejtarët dhe kapacitetet hotelerike, pasi që kemi të zhvilluar turizmin banjor dhe një muaj e ca  dhe  ne kërkojmë që këta biznese të kompensohen 100 % nga qeveria e Maqedonisë”, thotë kryetari i Komunës së Dibrës Hekuran Duka.

Dibra bashkë me Qendrën Zhupa ishte e vendosur në karantinë nga 14 marsi. Pas një muaj e gjysmë e mundi virusin korona. Tani është një nga gjashtë qytetet në Maqedoni, përkatësisht Radovishi, Gjevgjelia, Strumica, Probishtipi dhe Demir Hisari   ku nuk ka raste aktive me Covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: NDALOHET KOPJIMI! Faleminderit për mirëkuptimin!