Dritan Jashari, pasues i artistëve dibranë, që promovuan thesarin e këngës së mirëfilltë dibrane

Flet këngëtari dibran: Me muzikën nisa të angazhohem që në klasë të pestë. Si dibran rrëfen këngëtarët e zonës që i kanë pëlqyer duke i pasur si model për karrierën dhe jo vetëm por dhe ata nga zona të tjera të Shqipërisë dhe Kosovës, flet për repertorin e këngëve, bashkëpunimet me Naim Plakun dhe Edmond Zhulalin si dhe projektet më të fundit

Qysh fëmijë i hyri në zemër tradita e folklori, të cilat filloi t’i vrojtojë në vitet e rinisë.  Dritan Jashari, tashmë artisti i mirënjohur i këngës dibrane, është njëri nga pasuesit e artistëve dibranë që e promovuan thesarin e këngës së mirëfilltë dibrane. Menjëherë pas Hazis Ndreut, Qerim Sulës, Sherif Dervishit, … ai që do e përfaqësojë denjësisht traditën e këngës sonë dibrane, sigurisht se do jetë Dritan Jashari.

Pas disa sukseseve me projektet muzikore, ai na vjen në këtë intervistë për të folur më shumë rreth figurës së tij dhe asaj çka ka punuar me bashkëpunëtorët e vyer…

Ku keni lindur dhe kur jeni ngjitur në skenë për herë të parë?

Jam i lindur më 1 tetor 1971 në fshatin Kovashicë të komunës së Maqellarës, me njerëz të mirë e punëtorë. Fillesat e mia nëpër skena janë që në klasë të pestë, d.m.th.

4 vitet e shkollës tetë vjeçare. Kam qenë me orkestrinën e çiftelisë në Shtëpinë e Pionierit “Tahsim Shehu” në qytetin e Peshkopisë, me të cilët kam marrë pjesë nëpër shumë festivale e koncerte.

Cilët artistë i kishit model për ta ndërtuar karrierën tuaj tashmë të suksesshme?

Si dibran që jam, gjithmonë më kanë pëlqyer këngëtarët tanë, si: Hazis Ndreu, Arif Vladi, Qerim Sula, Liri Rasha, Vera Laçi, vëllezërit Sturçe, Skënder Cala, Haxhi e Agron Maqellara, etj., por shumë më kanë pëlqyer edhe këngëtarët nga Kosova: Esat Bicurri, Ismet Peja, Ilir Shaqiri, Shkëlzen Jetishi, Ramadan Krasniqi, e të tjerë, rrugën e të cilëve jam munduar ta ndjek me përkushtim.

Cilat janë këngët e para të repertorit tuaj?

Këngët e para janë në orkestrinën e çiftelisë, një repertor modest që u pasurua me ndryshimet dhe kalimin e kohës. “Fluturo shqipja mbi Korab” lirisht mund të quhet “kurora e karrierës tuaj”. Na flisni pak rreth realizimit të saj!…

Vërtetë që kjo këngë është shumë e bukur për mua dhe për çdokënd që e don muzikën. Jam me fat që këndoj fjalët e poetit tonë të madh, dibranit Naim Plaku dhe muzikën me melos dibran të krijuar nga kompozitori i shkëlqyer Edmond Zhulali. Kjo këngë lindi tamam në momentin e duhur, si kujtesë për atë çka ka bërë Dibra dhe dibranët për atdheun, për pavarësinë e për lirinë. Për mua, do ngelet njëri nga bashkëpunimet më të përkryera…

I kujtoni dot lëvdatat e marra për këtë realizim?

“Fluturo shqipja mbi Korab” është një këngë që lëvdatat i ka të tepërta, por vërtetë e kanë pëlqyer shumica e publikut shqiptar dhe kërkohet vazhdimisht nëpër manifestime të ndryshme.

Njiheshit më herët me kompozitorin e shquar dibran, Naim Plakun?

Me poetin Naim Plaku ishim bashkëqytetar. Fati e deshi që ne të bashkëpunonim këto

vitet e fundit në Tiranë. Kënaqësi e veçantë dhe nder është për mua që pata fatin të kem në repertorin tim këngë me tekste të Naimit, si: “Krah për krah Dibra e Kosova”, “Oda dibrane”, “Lum për djemtë që rriti Dibra”, “Cen Elezi shkamb i Korabit” etj.

Çfarë emocioni ju përshkon kur i këndoni këngët e Naim Plakut me orkestrim të Edmond Zhulalit?

Do kisha dashur akoma më tepër bashkëpunime me të madhin Naim Plaku, se

vërtetë do ia vlente. Kur i këndoj tekstet e Naimit e kur e përcjell muzikën e Edmond

Zhulalit, e ndjej veten të bekuar që bashkëpunova me këta artistë të pavdekshëm.

Mendoni se mund të krijohet edhe një himn tjetër dibran si “Dibra maja-maja”?

Ne gjithmonë jemi në kërkim të diçkaje të bukur. Me punë arrihet çdo gjë, ne vetëm

duhet të punojmë për të krijuar, se patjetër që do arrihet edhe një sukses i ngjashëm.

Ndërkohë, për ç’projekt jeni duke punuar?

Më së fundi, pas këngës “Gjeta Dibër n’Amerikë” dhe pas realizimit të një kënge

me motive dasme me titull “Kësaj i thonë dasëm shqiptare” me tekst të Ramazan Çekës dhe muzikë gjithmonë të Edmond Zhulalit, po e shijoj suksesin e tyre. Por, jam edhe në kërkim të temave të reja për ndonjë projekt të radhës.

Dritan, ne ju falënderojmë për kohën që ndatë dhe ju urojmë sa më shumë suksese!

Pata kënaqësinë ta zhvillojmë këtë bashkëbisedim. Gjithashtu ju dëshiroj sa më

shumë shëndet dhe suksese… /Rruga e Arbrit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: NDALOHET KOPJIMI! Faleminderit për mirëkuptimin!