Kërkohen më shumë mjete për festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni”

Edhe pse reagoi drejtori Ylber Nuredini, për Festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, Ministria e Kulturës nuk do të ndajë më shumë mjete se sa kanë qenë deri më tash, 600 mijë denarë. Kështu bëri të ditur anëtari i Komisionit për veprimtari dramatike, Hismet Ramadani.

“Festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” në Dibër në vazhdimësi është përkrahur nga Ministria e Kulturës me mjete në vlerë prej 500.000 denarë, në vitin 2018-të dhe në vitin 2019-të Ministria e Kulturës e ka përkrahur këtë projekt me 600.00 denarë. Komisioni për veprimtari dramatike ka punuar në pajtueshmëri me udhëzimin e parashtruar në Konkurs, dhe ka propozuar mjete në bazë të pikave të fituara”, tha anëtari i Komisionit, Hismet Ramadani.

Kjo përgjigje e Ramadanit u dha pasi që drejtori i “Festivalit të Teatrit Shqiptar”, Ylber Nuredini ka reaguar për vendimin e Komisionit për veprimtari dramatike.

“Bëj thirrje publike te ministri i Kulturës, Asaf Ademi që ta radhisë Festivalin “Teatri Shqiptar i Dibrës” edicioni i 18-të, në këtë tabelë, sepse e meriton. O ju o kush tjetër?”, tha Nuredini.

Përndryshe, Festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” këtë vit do ta mbajë edicionin e 18-të, i planifikuar për periudhën kohore 04-11 tetor të 2019-s.

Nëse krahasohet me katër festivale të tjera të financuara për këtë vit nga Ministria e Kulturës, ky festival është financuar më së paku. Me vlerë më të lartë janë financuar festivalet “Vojdan Çernodrinski” dhe “Teatri i ri i hapur” me 4 milionë denarë, pas tyre vjen “Skupi Festival” me 3.5 milionë denarë dhe “Othello” me 2.6 milionë denarë. Festivali “Teatri Shqiptar në Maqedoni” është financuar vetëm 600 mijë denarë.

Festivalet e financuara nga Ministria e Kulturës

Kjo përgjigje e Komisionit vjen pasi sot filloi rishqyrtimi i projekteve të refuzuara të Programit Kulturor 2019, ku gjashtë komisione njëzëri kanë dëshmuar se: Vendimet janë në pajtueshmëri me dispozitat ligjore, se në miratimin e projekteve janë marrë parasysh përvojat dhe aktivitetet e realizuara më parë nga bartësit e projekteve dhe se nuk është mbajtur llogari për regjistrimin e subjekteve juridike, pasi që një gjë e tillë nuk parashihet me Konkursin.

Rishqyrtimi i projekteve erdhi pasi që ministri i Kulturës, Asaf Ademi kërkoi që të rishqyrtohen projektet e refuzuara nga Programi Kulturor Vjetor për vitin 2019-të, sepse në publik pati reagime të shumta. Reagimet kishin të bënin për “mjetet e pamjaftueshme për projekte të caktuara” dhe se “mjetet janë ndarë në baza etnike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: NDALOHET KOPJIMI! Faleminderit për mirëkuptimin!