Rruga e Arbit, kyçe për bizneset, përkundër premtimeve, mbetet projekt vetëm në letër

Biznesmeni amerikan Mark Kraford, i cili është edhe kryetar i odës ekonomike amerikane në Shqipëri sot erdhi të viziton Shkupin, për të parë mundësitë e investimit në Maqedoni. Por, për të arritur nga Tirana në Shkup, udhëtoi 6 orë, ndërsa u desh të kalojë edhe nëpër Kosovë. Ai thotë se e ka problem për lëvizje nëpër Ballkan për shkak të gjendjes infrastrukturore. Kraford, thotë se çdo autostradë që lidh dy shtete të ndryshme, shpaguhet në aspekt të këmbimeve ekonomikë.

“Unë investoj në çdo sektor që ka interes për mua dhe udhëtoj shumë, por e kam problem të lëviz, për shkak se më mundon rruga. Unë e kam shumë të vështir që të marr rrugë brenda Ballkanit. Për mua është shumë mirë të ketë aq më shumë autostrada. Edhe pse çdo autostradë duhet të shihet si një projekt për të cilin duhet paguar taksapaguesit, por ajo duhet të shihet si një investim që do të kontribuojë në kundërkëmbim të ideve dhe produkteve”, tha Mark Kraford.

Bizneset shqiptare dhe ato të Maqedonisë tashmë një kohë kërkojnë ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës që do të lidhë Tiranën dhe Shkupin përmes Dibrës. Drilon Iseni nga Oda ekonomike Veri –Perëndimore thotë se kjo rrugë përveç tjerash do të rriste këmbimet edhe ashtu të vogla në mes të dy vendeve si dhe do të paraqiste rrugë më të shkurtër për portin e Durrësit, që sipas tij është alternativë më e lirë nga porti i Selanikut, që përdoret nga shumica e bizneseve në Maqedoni.

“Rruga e Arbrit paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të korridorit 8, që lidh lindjen dhe perëndimin, do të thotë është pjesë e projektit evropian dhe është shumë i rëndësishëm për biznesin për 2 aspekte. Për faktin se me Shqipërinë ende e kemi nivelin e këmbimit shumë të ulët, diku rreth 100 milionë, do ju mundësojë kompaninë qasje në portin e Durrësit që paraqet një alternativë shumë më të lirë vizavi portit të Selanikut”, tha Drilon Iseni, OEVP.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore, Nebi Hoxha, thotë se infrastruktura është urë kyçe për thellimin apo ndërtimin e lidhjeve biznesore. Ai përmendi edhe nevojën e një lidhje hekurudhore të Shkupit me portin e Durrësit.

“Transporti hekurudhor me portin e Durrësit, i cili është një port me një distancë shumë të afërt, është më se i nevojshëm për ekonominë e vendit tonë dhe për bizneset, dhe do të ndikonte mjaftë në uljen e kostos së produkteve që janë të nivelit ndërkombëtar në mënyrë që të jetë një port konkurrues me portin e Selanikut dhe portet e tjera që do të kenë interes bizneset”, tha Nebi Hoxha, Kryetar i OEMVP.

Ndryshe autostrada për të cilën bëhet fjalë, e quajtur Rruga e Arbrit, do të kalonte përmes Dibrës drejt Tiranës dhe Durrësit. Për këtë u fol edhe në seancën e përbashkët të qeverive të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Sipas llogaritjeve, kjo rrugë do të jetë më e shkurtër për 100 kilometra nga rruga e vjetër. Edhe pse projekti ekziston nga viti 2008, megjithatë ai ende nuk është miratuar nga ana e qeverisë dhe prandaj në pjesën e Maqedonisë ende nuk ka filluar ndërtimi i rrugës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error: NDALOHET KOPJIMI! Faleminderit për mirëkuptimin!